Kryetari i AAK-së në Gjilan dhe njëherësh kandidat për deputet, Nazim Gagica, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në shkollën fillore “Selmi Hallaqi” në Gjilan shkruan Radio Star.
Pas votimit, ai ka dhënë një deklaratë për media, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe vlerat që përfaqëson vendi.
“Sapo përfundova obligimin qytetar dhe votova në këtë ditë, e cila e shndërron Kosovën në festë. Falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen, angazhimin e jashtëzakonshëm dhe kulturën e treguar gjatë procesit zgjedhor,” u shpreh Gagica.
Ai theksoi rëndësinë e votës për forcimin e demokracisë dhe avancimin e vlerave që përfaqëson shoqëria jonë, duke i inkurajuar të gjithë qytetarët që ende nuk kanë votuar ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
“Ftoj të gjithë qytetarët, së bashku me familjet dhe miqtë e tyre, që t’u drejtohen kutive të votimit dhe të votojnë për më të mirët. Vota është besim, ndaj le të votojmë për ata që i besojmë. Sot është një ditë e veçantë, një ditë feste për Gjilanin dhe për Kosovën,” shtoi ai.
Në fund, Gagica u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të mbyllin procesin zgjedhor në mënyrë dinjitoze, duke uruar për një përmbyllje të suksesshme të zgjedhjeve.
“Urime Gjilan, urime Kosovë!” përfundoi ai./radiostar/