Një zjarr në një klub nate në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 50 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë orëve të vona të natës, raporton Radio Evropa e Lire.
Ende nuk dihet numri i saktë i të plagosurve, por disa prej tyre janë transportuar për trajtim mjekësor në spitalet e Shtipit dhe Shkupit.
Shkaqet e shpërthimit të zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes.
Sipas mediave lokale, dyshohet se flakët mund të jenë përhapur nga mjetet piroteknike të përdorura gjatë një performance muzikore nga bendi maqedonas DNA. Në momentin e tragjedisë, klubi ishte i mbushur me njerëz.
Zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të ofruar ndihmë dhe për të kontrolluar situatën.
Ndërkohë, shumë qytetarë të shqetësuar janë mbledhur pranë ndërtesës në kërkim të informacionit për familjarët e tyre.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për REL.
Autoritetet kanë njoftuar se do të dalin me më shumë detaje gjatë ditës.