Policia e Kosovës ka njoftuar se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, do të qëndrojë për vizitë në Kosovë nga e hëna (sot) deri të mërkurën.
Me këtë rast, thuhet se Policia e Kosovës, në bashkërendim me autoritetet kompetente ndërkombëtare, gjatë kësaj vizite, do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.