Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Turke në Bursa, Muhamed Sherifi, ka realizuar një vizitë zyrtare në Komunën e Gjilanit, ku është pritur nga kryetari Alban Hyseni. Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe Turqisë.
Gjatë diskutimeve, palët u fokusuan në mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të urave të qëndrueshme të investimeve mes dy vendeve. Sherifi vlerësoi Gjilanin si një pikë strategjike për zhvillim rajonal dhe theksoi gatishmërinë e rrjetit që ai përfaqëson për të mbështetur projekte të përbashkëta zhvillimore dhe organizimin e konferencave ekonomike, përfshirë një që planifikohet të mbahet në Prishtinë.
“Patëm një takim shumë të mirë me kryetarin Hyseni, një lider i ri dhe premtues, të cilin e falënderojmë për mikpritjen dhe vizionin që ndan për të ardhmen e Gjilanit dhe të rajonit në tërësi,” deklaroi Sherifi pas takimit.
Kjo vizitë pritet të shërbejë si hap i parë drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes komuniteteve të biznesit nga Kosova dhe Turqia./Radio Star/