Gjykata Komerciale detyron kompaninë “Eco-Higjena” t’ia kthejë Komunës së Gjilanit mbi 176 mijë euro të përfituara pa bazë ligjore
Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Ekonomike, ka miratuar kërkesëpadinë e Komunës së Gjilanit, gjegjësisht nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, duke e detyruar kompaninë “Eco–Higjena” Sh.P.K. që t’ia kthejë shumën prej 176,629.19 euro, të cilat, sipas gjykatës, janë përfituar pa bazë juridike përmes një procedure përmbarimore të kontestuar.
Sipas aktgjykimit që e ka siguruar InfoSot të nxjerrë më 18 prill 2025, nga gjyqtari Florent Zeqiri, “Eco–Higjena” obligohet t’ia kthejë Komunës së Gjilanit këtë shumë, e cila përfshin mjetet e përfituara padrejtësisht përmes Urdhrit përmbarimor P.nr. 1067/17, me kamate ligjore prej 8 % që nga data 30.03.2018 e deri në pagesën e plotë, brenda afatit prej shtatë ditësh nga pranimi i aktgjykimit.
Lënda ka të bëjë me një kontratë të nënshkruar mes Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Eco–Higjena” për shërbime publike si pastrimi i rrugëve dhe mirëmbajtja e hapësirave publike, e cila kishte përfunduar në korrik të vitit 2016. Komuna pretendonte se pas përfundimit të kontratës, kompania ka vazhduar të lëshojë fatura për shërbime pa ndonjë kontratë të vlefshme, dhe përmes procedurës përmbarimore kishte përfituar mbi 176 mijë euro, pa pëlqimin apo nënshkrimin e zyrtarëve të komunës.
Komuna ka ngritur padi për pasurim të pabazë në vitin 2018, duke kërkuar kthimin e shumës së përmendur. Në fillim, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte miratuar kërkesëpadinë, por ajo ishte ankimuar nga kompania dhe Gjykata e Apelit kishte urdhëruar rigjykim. Me themelimin e Gjykatës Komerciale, rasti i është transferuar këtij institucioni.
Gjatë rigjykimit, gjykata ka konstatuar se “Eco–Higjena” nuk ka ofruar prova të mjaftueshme se shërbimet janë kryer në bazë të ndonjë kontrate të vlefshme. Ndërsa faturat që ishin përdorur në procedurën përmbarimore nuk kishin mbështetje në dokumente të nënshkruara nga zyrtarë komunalë, si menaxheri i kontratës apo drejtori përkatës.
Me këtë vendim, gjykata i jep fund një kontesti disavjeçar dhe i jep të drejtë Komunës së Gjilanit, duke vendosur kthimin e fondeve të ekzekutuara pa mbështetje ligjore.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda afateve ligjore./Infosot/