Pas përfundimit të ceremonisë së betimit të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka folur para mediave për takimet që ka zhvilluar me përfaqësuesit politikë si dhe për situatën e krijuar pas zgjedhjeve, duke theksuar se ngërçi politik nuk mund të kalojë pa pasoja nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.
Osmani u ndal te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe mundësinë e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, siç e dini, ka krijuar hapësirë për më shumë interpretime. Nëse lexohet në tërësi, ai nuk përjashton votimin e fshehtë si mundësi – por kërkon që të ketë vendim të seancës dhe konsensus të deputetëve para se të shkohet në një formë të tillë”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se takimet me subjektet politike janë ende në vazhdim dhe se, pavarësisht qëndrimeve të kundërta, mund të ketë afrim që mundëson konstituimin e Kuvendit.
“Nuk i kam përfunduar ende takimet, disa do t’i zhvilloj edhe sot. Ka parti me qëndrime të kundërta, por nuk do të thotë që nuk mund të ketë afrim. Bllokada nuk është krejtësisht jo racionale”, theksoi ajo.
Ajo gjithashtu njoftoi se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditësh, kjo do të ketë pasoja ligjore, sipas vendimeve të Kushtetueses.
“Kushtetuta nuk e lejon që moskonstituimi të mbetet pa pasoja. Është e qartë që ky është një detyrim, dhe mosrespektimi i tij do të sjellë pasoja juridike. Nëse nuk ka konstituim, unë do të sqaroj shumë shpejt hapat që do të ndërmerren pas afatit 30-ditor”, u shpreh Osmani.