Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, bashkë me familjen e tij e ka shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Hamza ftoi të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të dalin të votojnë sipas bindjeve të tyre në mënyrë të qetë e demokratike.
“Bashkë me familjen time sapo e shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar. I ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të dalin të votojnë, të votojnë sipas bindjeve të tyre politike, të votojnë në mënyrë të lirë, të qetë e në mënyrë demokratike. Është ditë e bukur, ta shfrytëzojnë këtë ditë për të dalë për të votuar sepse ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”, tha Hamza.
Hamza votoi në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë. Sipas KQZ-së, deri në ora 10:19 në qytetin e Mitrovicës së Jugut dalja është 3.49 për qind apo 2 mijë e 805 qytetarë i janë drejtuar kutive të votimit nga 80 mijë e 271 sa janë me të drejtë vote.

