Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas njoftimit se Mefail dhe Edonis Shkodra, të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, ishte liruar me dorëzani në tetorin e vitit të kaluar me kërkesë të Prokurorisë Speciale, tre muaj pasi ishin arrestuar për fajde dhe detyrim në një aksion të Policisë në Gjilan.
Në reagimin e saj, MD e ka cilësuar këtë vendim si të pakuptueshëm dhe të papranueshëm, teksa ka thënë se lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale, shkruan Reporteri.
Ministria u ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial që të fillojnë menjëherë procedura disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë të përfhirë.
“Gjithashtu, Ministria u bën thirrje të gjitha forcave politike që të ndalin pengesat e vazhdueshme ndaj reformave në sistemin e drejtësisë. Reforma në drejtësi nuk është luks dhe as çështje e interesit të ngushtë politik por është një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Drejtësia nuk është pronë e askujt. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit ligjor. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si alarm për të gjithë, pa një drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dhënë sqarime për lirimin e Mefail dhe Edonis Shkodrës, ku thuhet se kishin ofruar një parcelë në të cilën kishte dy objekte të ndërtuara dhe që plotësonin dorëzaninë e kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në vlerë prej 70 mijë euro, 50 mijë për Mefail Shkodrën dhe 20 mijë për djalin e tij, Edonisin.
“Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ( lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjetë mijë euro), ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetë mijë euro)”.
Gjykata ka bërë të ditur se s’ka pranuar aktakuzë nga Prokuroria Speciale për këtë rast, i cili siç thonë po vazhdon të jetë në fazën e hetimeve paraprake.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se ndaj Shkodrës, aktualisht nuk ka asnjë lëndë aktive në këtë gjykatë.
Sipas Gjykatës, Mefail Shkodra më herët ka pasur tre lëndë penale të përfunduara me aktgjykim dënues. Në vitin 2018, Gjykata sqaron se i njëjti ishte shpallur fajtor për veprën penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”, në vitin 2014 është dënuar për vjedhje të shërbimeve komunale, ndërsa në vitin 2011 për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Gjykata po ashtu ka bërë të ditur se dy të dyshuarit e tjerë në rast, djemtë e Mefail Shkodrës, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm dhe nuk kanë raste të papërfunduara.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar sot Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë çdo lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës – person i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
“Kam theksuar në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, angazhimin maksimal për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Sveçla ka theksuar se askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, “veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”.
Ai ka kërkuar që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe institucionet e tjera të sistemit, sidomos drejtësia, “në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji”.