Kryetari Kadri Rahimaj së bashku me Drejtorin e Arsimit, Afrim Dervishi dhe zyrtarë nga kjo drejtori, kanë shpërndarë artikuj të ndryshëm dhe material e mjete didaktike për të gjitha shkollat e Kamenicës.
I pari i komunës ka thënë se ky është një investim i drejtpërdrejt për cilësinë në arsim për të ardhmen e fëmijëve.
“Për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor në komunën tonë
Në vlerë prej 11,890.90 €, këtë vit kemi shpërndarë 23 artikuj të ndryshëm me gjithsej 8,714 materiale dhe mjete didaktike për të gjitha shkollat e komunës sonë.
Ky është një investim i drejtpërdrejtë në arsim, cilësi dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne besojmë fuqishëm se mësimdhënia merr kuptim vetëm kur mësimdhënësit tanë kanë mjetet e duhura dhe nxënësit kanë mundësinë të mësojnë në mënyrë kreative e moderne.
Nga ngjyrat akrilike, hamerat me dimensione të ndryshme, letra të formateve të ndryshme, pëlhurat, trupat gjeometrikë, deri te topat e futbollit, basketbollit, volejbollit, kronometra e shumë elemente të tjera – çdo shkollë e komunës sonë është furnizuar me atë që ka më shumë nevojë.
Së bashku me drejtorin Afrim, ishim aty për të parë nga afër ndarjen e materialeve dhe për të siguruar se çdo mësimdhënës e çdo nxënës do të ketë mbështetjen e duhur në këtë fillim viti shkollor.
Cilësia në arsim është prioriteti ynë. Që të gjitha shkollat dhe të gjithë nxënësit të avancojnë drejt sukseseve”, ka thënë Kryetari Rahimaj.