Luan Aliu ka dhënë sot betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa votën e tij të parë në legjislaturën e re e ka dhënë në mbështetje të Deklaratës për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përmes një deklarate publike, Aliu ka bërë të ditur se ka votuar pro dokumentit, përmes të cilit Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë dhe e konsideron të papranueshëm aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe pretendimin për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aliu ka theksuar se lufta e popullit të Kosovës ishte e drejtë, çlirimtare dhe mbrojtëse, në përballje me regjimin serb, dhunën, dëbimet dhe krimet e kryera ndaj popullatës shqiptare.
Ai ka ritheksuar qëndrimin e tij kundër, siç e ka cilësuar, çdo përpjekjeje për ta njollosur luftën e UÇK-së dhe për të barazuar viktimën me agresorin.
“Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë historinë që e kemi përjetuar dhe sakrificën e një populli që luftoi për liri”, ka deklaruar Aliu.
Me këtë rast, deputeti i sapobetuar ka riafirmuar qëndrimin e tij në mbështetje të vlerave të luftës çlirimtare dhe sakrificës së popullit të Kosovës./Radio Star/










