Mbrëmë rreth orës 21:00 në rrugën “Vasilije Ostrovski” në Mitrovicë të Veriut, janë vendosur grafite me përmbajtje të hapur kërcënuese dhe urrejtjeje kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në murin e një ndërtese. Ajo që është shkruar, në shqip përkthehet: “Me të aguar, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.
Lajmin për Gazeta10 e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani. Ai tha se nuk ka të dyshuar dhe as të arrestuar.
“Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është iniciuar rast “kanosje”. Shkrimi i njëjtë me pamje grafike ishte vendosur më herët në rrjetin social Telegram”, tha Elshani.
Rreth këtij rasti policia ka njoftuar edhe përmes raportit 24 orësh, ku thuhet se hetimet kanë nisur.
“Raportohet se në muret e një ndërtese persona të panjohur kanë shkruar një grafit në gjuhën serbe me përmbajtje të veprës penale ‘kanosje’. Njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Rasti vazhdon të hetohet nga ekipet e hetuesisë”.