Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se po e presin publikimin e aktgjykimit kur u pyet në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e institucioneve.
Osmani po ashtu tha se shpreson që shpejt do të funksionalizohet krijimi i institucioneve.
“Është ende veç njoftim, momentin që publikohet aktgjykimi i plotë, ju thërrasim prapë. Jemi në komunikim me partitë vazhdimisht, do të jemi edhe në të ardhmen. Po shpresoj që sa më shpejt do të përmbyllet komplet cikli i institucioneve funksionale,” tha shkurt Osmani kur u ndalua nga gazetarët në lidhje me këtë çështje.
Gjykata kushtetuese, më 1 tetor publikoi njoftimin për vendimin se seanca konstituive e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve që nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit. Gjykata e ka arsyetuar vendimin e saj, duke përmendur se ende nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Aktgjykimi nuk është publikuar ende.