Hashim Thaçi e kishte të afërt Memli Krasniqin, ndërsa Kadri Veseli, Uran Ismajlin. Dy liderët e PDK-së, si liderë të dalë nga lufta çlirimtare, e synonin të dilnin nga bastioni i Drenicës, për ta shtrirë PDK-në në mbarë Kosovën, me figura e profile të reja. Në Prishtinë, Hashimi e mori Memlin, ndërsa Kadriu e mori Uranin. Dytë synonin të shtrinin PDK-në edhe në Prishtinë dhe t’i jepnin imazh urban PDK-së, sepse perceptohej si parti përfaqësuese rurale dhe e Drenicës.
Në vitin 2011, u bë Ministër për Kulturë, Rini dhe Sport. Në vitin 2014, Ministër për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Pylltari dhe prej vitit 2021, si Kryetar i PDK-së dhe deputet. Nuk la ndonjë gjurmë të rëndësishme si ministër, për dallim nga Urani që krijoi një vlerësim dhe perceptim pozitiv te publiku për qeverisjen e shëndetësisë publike, ndonëse kjo e fundit, edhe sot, mbetet jashtëzakonisht dobët.
Konteksti
Memli erdhi si përfaqësues i linjës së Hashimit brenda PDK-së, ndërsa Urani si gjeneratë urbane e Prishtinës, si linjë e Kadriut. Memli udhëhoqi partinë pasi Hashimi u bë president dhe u paraburgos dhe pasi Kadriu e la postin e kryetarit dhe gjithashtu u paraburgos në Hagë. Çdo parti pa themeluesit e tyre, e ka të vështirë në Kosovë. Ngjashëm ndodhi me LDK-në, ngjashëm me PDK-në, ngjashëm me AAK-në (jo rastësisht Ramushi ende e mban postin e kryetarit të AAK-së si themelues dhe lider i saj nga themelimi). Vetëm LDK-ja ka ndërruar më shpesh liderët, por kurrë nuk ka dalë më e para si parti. Edhe për Albin Kurtin kështu besohet dhe vlerësohet. LVV-ja pa Kurtin, e ka të vështirë. Memli e mori PDK-në me dy linja: Hashimit dhe Kadriut. E mbajti elektoratin deri tash, por zgjedhjet e fundit lokale, fitorja e Ramiz Lladrovcit, rënia në zgjedhjet lokale 2025, e bënë të reflektonte dhe dha dorëheqje. Dhe bëri shumë mirë. Shkëlqyeshëm. Bëri një gabim: shprehu parapëlqimin për Bedri Hamzën, në vend se ta hapte garën e brendshme dhe me qasje neutrale. Në zgjedhjet e fundit, Bedriu nuk mundi ta sfidonte Kurtin dhe as nuk do ta sfidojë. Bedriu qeverisi keq në Mitrovicë dhe nuk la shumë gjurmë të rëndësishme. Po të krijonte përshtypje pozitive, nuk do të humbte pasaardhësi i tij, sepse edhe kjo e ka pasur efektin negativ.
Memli u soll me maturi, me metoda demokratike për ta kritikuar qeverisjen e Kurtit. Sa nuk e përçau PDK-në me Ramizin. Pas largimit të tij, gjasat janë që Ramizi të mbetet brenda PDK-së. Memli mbeti një figurë pozitive, ndonëse kurrë nuk u shndërrua në lider të vërtetë partie. Nuk frymëzonte, nuk mobilizonte, por vetëm ishte një stabilizator i PDK-së. Solli qytetari, demokraci, por nuk do të mundte kurrë ta sfidonte Kurtin. Kurrë nuk u përjetua si lider. Kurrë nuk u pa si lider inspirimi, entuziazmi dhe mobilizimi brenda dhe jashtë partisë.
Memli ishte sprovuar dy herë si ministër dhe nuk transformoi dy ministritë. Ai mbetet politikan i zakonshëm. Djalosh, i edukuar, por jo transformues. Veprimet e tij të fundit, vijnë nga rezultatet e dobëta në terren. Jo nga vullneti individual, por megjithatë, janë për t’u përshëndetur.
I dëgjoj disa duke thënë jo Agim Aliu, jo Shaqir Totaj, jo Bedri Hamza, mund ta rikthejnë PDK-në të parën. Unë dyshoj shumë. Për të qenë lider i Kosovës, duhet jo vetëm dije, por shumë energji, shumë kreativitet, shumë punë. Duhet gjetur jo një figurë që ruan votën ekzistuese të PDK-së, por që arrin të tërheqë elektorat jashtë PDK-së. Nuk mjafton profesionist. Nuk mjafton vetëm njeri i mirë. Në mes të krejt liderëve aktualë të PDK-së, jam i bindur se Urani merr mbështetje më të madhe se krejt figurat e tjera. Urani e çoi PDK-në në Prishtinë, përtej PDK-së, si asnjëherë më parë. PDK-ja, duhet provuar edhe Uranin. Masat e gjera duan kreativitet. Urani e ka më shumë se të gjithë të tjerët. Është më i pranueshëm. Bedriu është më profesional se Urani, por nuk është i terrenit.
Memli iku. Shyqyr. Tash radhën e ka Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. Është shpresë për Kosovën, kur opozita nuk jeton në imagjinatë. I kthehet realitetit. Memli dha shembull të mirë.










