Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata në Kosovë pas reshjeve të fundit paraqitet kryesisht e qetë, megjithëse janë raportuar disa vërshime të tokave bujqësore dhe depërtime të ujërave nëpër shtëpi, kryesisht në bodrume.
Në njoftim thuhet se Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë qenë të angazhuara vazhdimisht që nga fillimi i reshjeve.
“Që nga fillimi i reshjeve, Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë kryer 76 intervenime në qytete dhe komuna të ndryshme, përfshirë Prishtinën, Fushë Kosovën, Ferizajin, Gjilanin, Vitin, Kllokotin, Podujevën, Mitrovicën, Lipjanin, Kamenicën, Novo Bërdën, Junikun, Ranillugin dhe Shtimen,” thuhet në njoftimin e AME-së.
Si pasojë e situatës së krijuar, në disa komuna ka pasur nevojë edhe për evakuime.
“Janë evakuuar gjithsej 6 familje në komunat Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Gjilan,” bën të ditur AME.
Sipas agjencisë, gjendja është përmirësuar ndjeshëm pas zvogëlimit të intensitetit të reshjeve.
“Pas vlerësimit së gjendjes në terren dhe rënies së intensitetit të reshjeve, situata konsiderohet e qetë dhe nën kontroll,” thuhet tutje në njoftim.
AME theksoi se po vazhdon koordinimin me autoritetet qendrore dhe lokale për çdo rast të mundshëm emergjent.
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent mbetet në koordinim të vazhdueshëm me qendrat operative rajonale 112 dhe autoritetet lokale dhe qendrore për t’u përgjigjur çdo nevoje dhe kërkese emergjente,” përfundon njoftimi.










