Pesë pjesëtarë të komunitetit serb janë burgosur nga Policia e Kosovës nën dyshimet se u kanë bërë presion pjesëtarëve të po këtij komuniteti në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që ta braktisin këtë Forcë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka burgosur pesë persona për shkak të dyshimeve të bazuara se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka dënuar, siç ka thënë ai, kërcënimet që po dyshohen se po bëhen ndaj familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti serb.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për këto kërcënime.
“Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit”.
“Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në Facebook.
Në anën tjetër, kanë reaguar edhe zyrtarët në Beograd.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se pesë serbët e arrestuar ishin kundër formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Sipas tij, këta persona duhet të lirohen, ose në të kundërtën është kërcënuar se Beogradi nuk do të vazhdojë dialogun me Prishtinën.
Aksioni i Policisë së Kosovës është ndërmarrë me urdhër të gjykatës kompetente në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve nga njësitet relevante të këtij institucioni.
Në një komunikatë për media, Policia ka demantuar disa media të caktuara serbe, se aksioni i Policisë është ndërmarrë kundër ish-pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se këto janë vetëm spekulime.
Për më shumë, në komunikatë është thënë se aksioni është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me organet gjyqësore.
Në anën tjetër, Marko Gjuriq ka kërkuar që pesë personat e arrestuar, të cilët ai i ka përmendur edhe me emra, të lirohen deri në mbrëmje. Gjuriq ka deklaruar se këta pesë persona janë të pafajshëm dhe se sipas tij, ata vetëm e kanë shprehur publikisht se janë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.
“Nëse këta njerëz nuk lirohen sa më shpejtë, deri në mbrëmje, atëherë porosia e jonë është se dialog nuk do të ketë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Kjo është porosi edhe e presidentit (Aleksandar) Vuçiq”, ka theksuar Gjuriq.
Kohët e fundit, pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po e braktisin këtë Forcë, me arsyetimin se kanë presione nga Beogradi. Nga 137 pjesëtarët serb të FSK-së, 40 prej tyre kanë paraqitur kërkesë për t’u larguar.