Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit u mbajt Konferenca e shtatë e Morbiditetit dhe Mortalitetit.
Konferenca u organizua nga Komiteti për Cilësi dhe Siguri të Shërbimeve Shëndetësore, i udhëhequr nga Dr. Ramadan Halimi, i cili edhe bëri hapjen e konferencës duke prezantuar rëndësinë e saj dhe objektivat kryesore.
Në këtë konferencë u diskutuan katër tema nga repartet: Reparti i Sëmundjeve të Zemrës, Neurologjia dhe Emergjenca.
Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, ka përgëzuar komitetin për sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve për organizimin e konferencës dhe aktiviteteve të ndryshme që rrjedhin nga ky komision.
Ai theksoi se angazhimi i tij do të jetë maksimal për të përkrahur këtë konferencë dhe organizime të ngjashme, me qëllim të identifikimit të praktikave që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke shprehur gatishmërinë për përkrahje të vazhdueshme.
Morbiditeti dhe mortaliteti janë tregues të rëndësishëm në vlerësimin e gjendjes shëndetësore dhe të cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Morbiditeti i referohet shpeshtësisë së sëmundjeve, komplikimeve apo gjendjeve shëndetësore, ndërsa mortaliteti tregon shkallën e vdekshmërisë së shkaktuar nga sëmundje të ndryshme ose faktorë të tjerë shëndetësorë.

