Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit/presidentes, me 5 mars, filluan shfajësimet dhe akuzat reciproke të palëve.
Kur i lexojmë shfajësimet e palëve del se të gjitha partitë politike, gjegjësisht liderët e tyre kanë bërë maksimumin për arritjen e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit, por ja që përkundër përpjekjeve presidenti nuk u zgjodh në afatin e rregullt.
Pastaj kur i lexojmë ose i dëgjojmë akuzat reciproke të partive politike apo analizat kryesisht të porositura të analistëve politik, del se të gjitha palët janë fajtor.
Pavarësisht se cili variant është i vërtetë, ai ku thuhet se të gjithë kanë faj, ose varianti ku thuhet se askush nuk ka faj por ja që na iku afati, apo edhe kur thuhet se disa kanë faj e të tjerët janë të pafajshëm, një gjë është e sigurt, se dështimi për arritjen e marrëveshjes ka ndodh dhe se këto palë që herë e akuzojnë njëra tjetrën, herë e arsyetojnë vetveten, pas 31 marsit ose pas zgjedhjeve të reja, varësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të ulen dhe të merren vesh për presidentin ose presidenten e ardhshme të Republikës së Kosovës.
Pasi që marrëveshja është e domosdoshme, ajo duhet të ndodhë sa më parë që është e mundur, por se kur do të arrihet marrëveshja, varet ekskluzivisht nga udhëheqjet e partive parlamentare. Prandaj të mos humbet kohë as me arsyetime e as me akuza të ndërsjella, sepse akuzat vetëm sa e prolongojnë dhe e bëjnë më të vështir arritjen e marrëveshjes. Në këtë situatë fokusimi te arritja e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit ose presidentes, është veprimi i vetëm racionale dhe i domosdoshëm, që është në të mirën e të gjithëve, e që duhet të ndodh sa më parë që është e mundur.
Gjykata Kushtetuese ka vendos masë të përkohshme mbi vendimin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbi punën e Kuvendit deri me 31 mars, por jo edhe mbi përpjekjet e partive që të merren vesh mes veti, prandaj punoni që 31 marsi t’ju gjej me marrëveshje. Përmbahemi thënies së popullit:” Punën e sotit mos e lë për nesër”.
Kosovën e presin shumë punë të rëndësishme që duhet t’i kryejnë institucionet e Kosovës, e disa prej tyre duhet t’i kryejnë bashkë pozita dhe opozita, pra të gjithë ata që e kanë marr mandatin nga qytetarët me i mbrojt interesat e tyre.
Ismajl Kurteshi, mars 2026.

