Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se “ofertat” e fundit të bëra nga kryeministri Albin Kurti, nuk janë serioze.
Përmes një video-adresimi, kreu i PDK-së tha se nga LVV-ja ka përpjekje për ta fajësuar opozitën për dështimin e zgjedhjes së Presidentit.
“Po shohim sërish përpjekje për t’ia hedhur fajin opozitës për dështimin e zgjedhjes së Presidentit. Prej gati dy vitesh, vendi po përballet me bllokada politike, jo për mungesë mundësish, por si pasojë e kësaj qeverisjeje të papërgjegjshme”.
“Edhe sot, në vend të reflektimit, po vazhdojnë fajësimet dhe manipulimet e zakonshme. “Ofertat” në minutat e fundit nuk janë gjë tjetër veçse lojë politike për t’u arsyetuar para qytetarëve, jo përpjekje serioze për të ofruar zgjidhje”, tha Hamza.
Sipas tij, Kurti po kërkon “nënshrim” para bashkëpunimit.
Ai përfundoi duke thënë se “qëndrimi ynë ka qenë, është dhe mbetet parimor”.

