Ish-drejtori i DSHPIB-së, Naser Korça, ka bërë të ditur se Gjykata e Apelit ka marrë një vendim në lidhje me çështjen gjyqësore që lidhet me lokacionin e varrezave të reja në Komunën e Gjilanit.
Sipas Korçës, në vitin 2019, me një vendim të atëhershëm të ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj, një pronë e menaxhuar nga AKP është kaluar në pronësi të Komunës së Gjilanit për nevojat e ndërtimit të varrezave të reja komunale. Pas këtij vendimi, siç thekson ai, kanë nisur edhe punimet për realizimin e projektit.
Megjithatë, procesi është ndërprerë më vonë për shkak të kontestimeve rreth lokacionit, çështje e cila ka përfunduar në procedura gjyqësore. Në shkallën e parë, Gjykata Themelore kishte vendosur në disfavor të tij, duke e obliguar me gjobë dhe shpenzime procedurale, vendim i cili është kontestuar në aspektin e vlerësimit të provave të paraqitura.
Korça thekson se përmes ankesës së parashtruar nga avokati Sherif Sherifi në Gjykatën e Apelit, janë prezantuar prova shtesë të dokumentuara, të cilat sipas tij kanë ndikuar që rasti të trajtohet në mënyrë më të plotë dhe profesionale, duke çuar në rrëzimin e pretendimeve të palës paditëse.
Ai shton se, gjatë periudhës sa ka ushtruar detyrën e drejtorit, ka qenë i angazhuar së bashku me kryetarin e atëhershëm Lutfi Haziri për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të çështjes së varrezave të reja në qytet.
Sipas tij, pavarësisht kalimit të disa viteve, ende nuk është gjetur një zgjidhje alternative për këtë çështje, ndërsa situata e mungesës së hapësirave të varrimit mbetet sfidë për qytetarët e Gjilanit.
Korça përfundon se vendimi i Gjykatës së Apelit përbën një zhvillim të rëndësishëm në këtë proces dhe se, sipas tij, e vërteta është dokumentuar përmes procedurave ligjore./Radio Star/

