Ish-kandidatja për presidente, Feride Rushiti, pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme për zgjidhjen e presidentit, në një konferencë për media deklaroi se ndaj saj pati kërkesa edhe nga ndërkombëtarët që të garonte për presidente. Ndonëse foli në shumës, kur u pyet specifikisht se cila ambasadë ia kërkoi që ajo të kandidohej për presidente, Rushiti tha se kërkesa iu ishte parashtruar nga britanikët. Ajo përmendi se përgjatë ditës së djeshme edhe ka qenë në kontakt me të dërguaren amerikane me punë në Kosovë.
Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje edhe ambasadës amerikane në Prishtinë, për t’u sqaruar nëse Washingtoni zyrtar ka pasur ndonjë preferencë lidhur me kandidatët për presidentë. Në pyetjen drejtuar ambasadës, Insajderi përmendi edhe emrin e ish-kandidates Rushiti, duke kërkuar të dijë nëse ka pasur ndonjë mbështetjeje në formë institucionale për të.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane për Insajderin deklaroi se SHBA’të s’kanë kurrfarë roli në propozimin e kandidatëve dhe se është përgjegjësi e të besuarve të popullit që të zgjidhet çështja e të parit të shtetit.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë rol në propozimin e kandidatëve për procesin zgjedhor presidencial në Kosovë. Është përgjegjësi e Kuvendit dhe udhëheqësve politikë të zgjedhin presidentin“, u tha në përgjigjen e ambasadës amerikane.
Nacionale përgjatë ditës raportoi se Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka përgënjeshtruar pretendimin e shpaluar mbrëmë nga Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e Vetëvendosjes për presidente të vendit, Feride Rushiti, se ishte ambasada britanike që e mbështeti kandidaturën e saj për presidente të vendit.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në një përgjigje me shkrim e mohoi, dukë thënë se “nuk ka asnjë rol në propozim a mbështetje” të ndonjë kandidati për president të vendit, dhe se “as nuk e ka bërë një gjë të tillë”.
Rushiti përgjatë konferencës për media, kur u pyet se kush janë akterët ndërkombëtarë që propozuan që ajo të kandidohej, përmendi ambasadën britanike dhe potencoi se gjatë ditës ishte në kontakt me të deleguarën amerikane për diplomaci në Kosovë.
“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuru për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan,” tha Rushiti.

