Ka nisur procesi i seleksionimit të futbollistëve të gjeneratës U15 në regjion, me qëllim identifikimin e talenteve më premtuese që në të ardhmen do të jenë pjesë e përfaqësueseve të Kosovës.
Kryetari i Lidhjes Regjionale të Futbollit, Armend Misini, ka bërë të ditur se ky proces po zhvillohet me përkushtim maksimal dhe në mënyrë profesionale, duke vlerësuar çdo futbollist në bazë të cilësive dhe potencialit që posedon.
Sipas tij, fokusi kryesor mbetet përzgjedhja kualitative e lojtarëve që meritojnë të përfaqësojnë Kosovën në nivelet e ardhshme garuese.
“Qëllimi ynë është të identifikojmë talentët më të mirë të kësaj gjenerate dhe t’u japim mundësinë që me punë dhe angazhim të bëhen pjesë e Kosovës. Besojmë se nga ky seleksionim do të dalin futbollistë me perspektivë për të ardhmen”, është shprehur Misini.
Procesi i vëzhgimit dhe seleksionimit pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim, ndërsa interesimi i klubeve dhe i futbollistëve të rinj po konsiderohet mjaft i madh./Radio Star/

