Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se, në zbatim të vendimit të ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka ndërmarrë një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, raporti i publikuar paraqet rezultatet përmbledhëse të inspektimeve të realizuara në kuadër të këtij aksioni.
“Në kolonën ku është cekur numri total i ndalimeve të punimeve, nënkuptohet automatikisht edhe numri total i kërkesave për kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.
Tutje bëhet e ditur se, në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet ndaj të cilave është shqiptuar masa e ndalimit të punimeve procedohen automatikisht në Gjykatën për Kundërvajtje për shkeljet e konstatuara gjatë inspektimeve.
Sipas Inspektoratit, procesi i riinspektimeve do të vazhdojë në ditët në vijim, bazuar në afatet kohore të përcaktuara nga inspektorët për eliminimin e parregullsive të evidentuara.
“Eliminimi i parregullsive nënkupton procesin kur subjekti i inspektuar ka ndërmarrë veprime për përmirësimin e gjendjes së SSHP-së”, theksohet në njoftim.
Po ashtu, Inspektorati ka sqaruar se rastet e proceduara në polici kanë të bëjnë me punëkryerës ose investitorë që kanë vazhduar punimet në kundërshtim me vendimin e inspektorëve për ndalim të punimeve, si dhe me rastet e dëmtimit të shiritit ndalues.
Në njoftim thuhet se rastet e paraqitura në polici nuk barazohen numerikisht në tabelë, pasi ato lidhen me subjekte që tashmë kanë në fuqi vendimin për ndalim të punimeve.
Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, shifrat e paraqitura në raport përfshijnë të dhënat e realizuara deri më 30 prill 2026, ndërsa aksioni ka vazhduar edhe pas kësaj date me aktivitete monitorimi dhe riinspektimi të subjekteve ndaj të cilave janë shqiptuar masa ndaluese ose vërejtje për evitimin e parregullsive.

