Sot zhvillohet derbi i xhiros së 33-të në FC Drita mes Dritës dhe FC Ballkani, një përballje që mund ta përcaktojë kampionin e Kosovës për këtë edicion shkruan Radio Star.
90 minutat e kësaj ndeshjeje mund të jenë vendimtare për garën e titullit, pasi nëse Drita arrin fitore ndaj Ballkanit, atëherë skuadra gjilanase do të shpallet matematikisht kampione e Kosovës, duke i dhënë fund dilemës për titullin.
Skuadrës së drejtuar nga Zekirija Ramadani i duhen vetëm tri pikë për ta siguruar trofeun. Drita deri më tani ka grumbulluar 63 pikë dhe me një fitore të mundshme do të shkonte në kuotën e 66 pikëve, ndërsa pas kësaj xhiroje do të mbesin edhe tri ndeshje deri në fund të kampionatit.
Aktualisht, Drita ka tetë pikë më shumë se Ballkani dhe pikërisht kjo përballje konsiderohet derbi kryesor i kësaj jave në elitën e futbollit kosovar.
Në konferencën për media të mbajtur dje, trajneri Zekirija Ramadani deklaroi se kjo do të ishte hera e parë në karrierën e tij që do të shpallej kampion i Kosovës për dy sezone radhazi. Ai theksoi se në eksperiencat e mëparshme te skuadrat ku kishte punuar, nuk kishte arritur ta realizonte këtë sukses, pasi ishte larguar para përfundimit të kampionatit.
Ndeshja mes Dritës dhe Ballkanit zhvillohet sot nga ora 15:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan./radiostargjilan/

