Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se vendimi i saj për t’u rikthyer në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës është ndikuar drejtpërdrejt nga kërkesat e qytetarëve.
Në një video të publikuar në Facebook, Osmani ka ndarë mesazhe të ndryshme që sipas saj, i janë dërguar nga qytetarë të shumtë, të cilët i kanë kërkuar rikthimin e saj në LDK dhe angazhim të ri politik.
Ajo ka thënë se gjatë takimeve në gjithë Kosovën ka dëgjuar shqetësime, zhgënjime, por edhe shpresë nga qytetarët, të cilët kanë shprehur nevojën për ndryshim dhe bashkim.
Sipas Osmanit, kjo komunikim me qytetarët ka qenë vendimtar në hapin e saj të ri politik, duke theksuar se mesazhet e tyre e kanë bindur për t’u rikthyer në listën e partisë.
Në fund të deklaratës së saj, ajo ka bërë thirrje për bashkim dhe unitet, duke theksuar nevojën për një angazhim të përbashkët në të ardhmen politike të vendit.
“Për muaj të tërë kam ecur nëpër çdo cep të Kosovës. Jam mirëpritur në shtëpitë tuaja. Kam dëgjuar hallet tuaja. Kam parë zhgënjimet në sytë e njerëzve të ndershëm. Por mbi të gjitha kam parë një gjë që ende nuk është shuar: shpresën. Dhe kudo në çdo fshat e qytet, çdo tavolinë e çdo shesh ju më folët me një zë”, ka thënë Osmani para se në video të lëshoheshin mesazhet e qytetarëve për kthim në LDK. “Ju dëgjova, prandaj po bashkohemi”, ka shkruar ajo.

