Kryetari i Komunës së Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, ka uruar publikisht rivalin politik, Labinot Skovrqani, për zgjedhjen kryetar të degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kamenicë.
Rahimaj përmes një postimi në facebook, i ka uruar suksese Skovrqanit dhe strukturave të reja drejtuese, duke theksuar se puna për qytetarët duhet të jetë mbi dallimet politike.
“Shfrytëzoj rastin ta uroj Labinot Skovrqanin për zgjedhjen në krye të degës së Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Kamenicë.Uroj që mandati i tij të karakterizohet nga përgjegjësia, bashkëpunimi dhe angazhimi në të mirë të qytetarëve të Kamenicës.
Pavarësisht dallimeve politike, mbetem i bindur se puna dhe përkushtimi për interesin e qytetarëve duhet të na bashkojnë gjithmonë.Suksese Labinotit dhe strukturave të reja drejtuese në rrugëtimin e tyre!”, ka shkruar Rahimaj.

