Mbrojtësi shtyllë i Dritës do t’i nënshtrohet operimit në ditët në vijim, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë pasi kontrata i skadon në fund të sezonit.
Teksa po hyn në fazën përmbyllëse të kampionatit, FC Drita ka marrë një goditje të rëndë në repartin defensiv. Mbrojtësi i njohur, Egzon Bejtullahi, ka pësuar këputje të ligamentit në ndeshjen ndaj FC Ballkani, duke humbur kështu pjesën e mbetur të sezonit.
Burime pranë klubit kanë bërë të ditur se futbollisti do t’i nënshtrohet operimit brenda pak ditësh, ndërsa periudha e rikuperimit pritet të jetë e gjatë dhe sfiduese për mbrojtësin dardan.
Lëndimi i Bejtullahit vjen në një moment delikat për Dritën, pasi ai ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në repartin defensiv dhe një prej figurave kyçe në sukseset e skuadrës gjatë viteve të fundit. Paraqitjet e tij kanë qenë mbresëlënëse jo vetëm në futbollin kosovar, por edhe në arenën ndërkombëtare, ku Drita ka zhvilluar ndeshje të rëndësishme në garat evropiane.
Megjithatë, fitorja ndaj Ballkanit në shtëpi rezultoi historike për klubin gjilanas, pasi me atë triumf Drita arriti ta sigurojë matematikisht titullin kampion tri xhiro para përfundimit të sezonit, duke kurorëzuar një edicion të jashtëzakonshëm në elitën e futbollit kosovar.
Përveç mungesës së madhe në fushë, situata bëhet edhe më interesante për shkak të së ardhmes së futbollistit. Kontrata e Bejtullahit me Dritën skadon në fund të sezonit dhe ende nuk ka asnjë konfirmim nëse palët do të vazhdojnë bashkëpunimin apo mbrojtësi do të nisë një aventurë të re në karrierën e tij.
Pavarësisht lëndimit të rëndë, Bejtullahi mbetet një nga emrat më të respektuar te Drita dhe një prej lojtarëve që ka lënë gjurmë në sukseset e klubit në vitet e fundit./Radio Star/

