Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar sportistë dhe sportdashës në Gjilan, me të cilët ka biseduar për rezultatet e deritanishme, sfidat dhe planet për zhvillimin e mëtejmë të sportit në vend.
Ai theksoi se tashmë Kosova ka Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, duke vlerësuar se sporti dhe rinia zhvillohen së bashku dhe krijojnë mundësi më të mëdha për rritjen e talenteve të reja.
Kurti përmendi edhe programet “Sporti në Shkolla” dhe “Drejt Malit”, të cilat sipas tij po e lidhin sportin me arsimin dhe të rinjtë me natyrën, duke e trajtuar sportin jo vetëm si aktivitet rekreativ e shëndetësor, por edhe si kulturë garuese që zhvillohet që nga mosha e hershme.
Duke folur për investimet në sport, ai tha se gjatë viteve të fundit është rritur buxheti për subvencionimin e sportit, ndërsa programi “Super Sportistët” ka siguruar 4 milionë euro mbështetje për ciklin olimpik.
Sipas tij, përmes thirrjeve publike janë mbështetur qindra sportistë dhe organizata sportive, ndërsa për herë të parë mbështetje të qëndrueshme shtetërore kanë marrë edhe Komiteti Paralimpik dhe Olimpiada Speciale.
Kurti u ndal veçanërisht te projekti i Stadiumit të Qytetit në Gjilan, duke bërë të ditur se objekti po ndërtohet me kapacitet prej 8,750 ulësesh.
Ai theksoi se vlera totale e projektit arrin në 12 milionë e 740 mijë euro dhe se punimet po vazhdojnë pa ndërprerje.
“Po punohet pa u ndalur që projekti të përfundojë sa më parë”, ka deklaruar Kurti.

