Gjuha e folur dhe e shkruar nuk është thjesht një mesazh apo vetëm një fjalë e thënë; ajo është pasqyrë e gjendjes sonë shoqërore. Ajo bart ndjenja, emocione dhe mendime, krijon realitete dhe lë gjurmë të thella në shpirtin e njeriut.
Diskursi i gjuhës politike, i debateve mediale dhe i rrjeteve sociale pasqyron kulturën dhe mënyrën se si politikanët, institucionet, mediat, figurat publike e jopublike dhe njerëzit në përgjithësi komunikojnë me qytetarët dhe mes njëri-tjetrit. Gjuha nuk përfshin vetëm fjalët e thëna, por edhe mënyrën si thuhen ato, tonin, ngjyrimin, qëndrimin, gjestet, mënyrën e përballjes me tjetrin dhe mënyrën e edukimit se si ndërtohet apo shkatërrohet respekti ndërnjerëzor dhe shoqëror.
Gjuha denigruese edhe pse nuk klasifikohet si sëmundje psikologjike në kuptimin klinik, ajo mund të kuptohet si simptomë e çrregullimeve emocionale, sociale dhe kulturore, si dhe si faktor që dëmton shëndetin mendor si të autorit që fyen e ofendon ashtu edhe të individit që e përjeton ofendimin. Ajo pasqyron shpesh gjendje emocionale të brendshme të individit, por njëkohësisht kontribuon në përkeqësimin e klimës sociale dhe psikologjike të shoqërisë dhe familjes.
Në Kosovë, kjo gjuhë, sidomos në rrjetet sociale, po bëhet gjithnjë e më e ashpër, më përçarëse dhe më e dhimbshme për shoqërinë. Nga institucionet te panelistët në studiot televizive, nga rrjetet sociale te bisedat e përditshme, po përhapet një diskurs që nuk bashkon, por ndan; që nuk ndërton, por lëndon. Një gjuhë që dehumanizon, fyen, akuzon dhe mbjell urrejtje lë gjurmë të heshtura në gjendjen psiko-emocionale të qytetarëve, familjeve dhe shoqërisë në tërësi -një gjendje që ende është e plagosur nga traumat e përjetuara të luftës.
Partitë politikë nuk po shihen si rivalë demokratikë, por si armiq – një realitet i dhimbshëm. Fjalët rënduese janë shndërruar në armë komunikimi, ndërsa dialogu është zëvendësuar me sharje, ofendime dhe përjashtim. Kjo gjuhë krijon frikë, pasiguri , ankth dhe në kohëzgjatje edhe depresion për të ardhmen. Dalëngadalë, ajo po depërton në familje, në vendet e punës dhe në gjithë spektrin shoqëror e social.
Kur shoqëria ekspozohet vazhdimisht ndaj një gjuhe të mbushur me fyerje, sharje, ofendime dhe urrejtje, ajo lodhet emocionalisht; rritet niveli i agresivitetit subjektiv, ndërnjerëzor e social dhe shtohen predispozitat për konflikte ndërnjerëzore -gjë që askush nuk e dëshiron. Po ashtu, stresi, ankthi dhe tensioni emocional e psikik bëhen pjesë e përditshmërisë. Më e dhimbshmja është se kjo gjuhë po transmetohet dhe po mësohet si model edhe për gjeneratat e reja, duke u ofruar atyre një mënyrë komunikimi të ftohtë, të ashpër, pa empati dhe të mbushur me urrejtje -një model që rrezikon të ndikojë negativisht në shëndetin e tyre mendor dhe emocional në të ardhmen.
Ne, si shqiptar, nuk kemi qenë dhe besoj se nuk jemi, e nuk duhet të jemi, aleat të një gjuhe të tillë. Tradita jonë ka qenë fjala e matur, respekti për tjetrin dhe konstruktiviteti. Sharja, fyerja, ofendimi dhe kërcënimi nuk na bëjnë nder o popull i dashur, pavarësisht kush i përdor; përkundrazi, na ulin si individë , familje dhe si shoqëri. Ato nuk na forcojnë, por na dobësojnë. Një gjuhë e tillë u shërben vetëm atyre që na duan të përçarë, të lodhur dhe të pafuqishëm si shoqëri e shtet. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të ndalemi dhe të reflektojmë.
Politikanët, përkrahësit e tyre, debatuesit publikë dhe çdo qytetar duhet të kenë kujdes në gjuhën që përdorin ndaj njëri-tjetrit, sepse ajo nuk lë gjurmë vetëm te individi i fyer apo i ofenduar, por edhe te fëmijët dhe familja e tij apo e saj. Në heshtje, ajo ndikon edhe te vetë autori i ofendues, në gjendjen e tij shpirtërore dhe emocionale. Më e keqja është se po krijojmë modele sjelljeje për fëmijët tanë — gjë që besoj se askush prej nesh nuk e dëshiron. Ju lutem, së paku, të mos i bëjmë fëmijët të ndihen të ofenduar apo të bullizuar nga sjelljet tona dhe nga gjuha jonë destruktive, prindërore, familjare e shoqërore.
Qytetarë të nderuar, kudo që jetoni, veproni apo shkruani në rrjetet sociale, ju lutem të ndërtojmë një diskurs më të qetë, më etik, më njerëzor dhe më konstruktiv, pa ngritje të tonit , pa sharje e ofendime – një gjuhë që shëron, e jo që plagos mirëqenien individuale dhe kolektive. Partitë politike, mbështetësit e tyre dhe qytetarët në përgjithësi duhet të mësojnë ta respektojnë njëri-tjetrin, t’ia urojnë suksesin njëri-tjetrit, por edhe të kritikojnë me dinjitet e maturi duke kontribuar me ide konstruktive për ndërtimin dhe përparimin e vendit.
Popull i dashur, hajde të fillojmë ta refuzojmë dhe ta ndalojmë gjuhën e urrejtjes, të mërisë, të ndarjes, të përçarjes dhe të dhunës, dhe të ndërtojmë gjuhën e konstruktivitetit, mirëkuptimit, dashurisë dhe respektit. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë, të kulturuar, të fortë, të drejtë dhe të lirë, ku respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin të jenë udhërrëfyesi ynë. Kritikat konstruktive, pa sharje e ofendime, të argumentuara dhe përmbajtësore, le të shërbejnë si ndërgjegjësim për përmirësim dhe si udhërrëfyes për ecje përpara drejt ndërtimit të një shteti të mirëqenë, demokratik, kulturor dhe me perspektivë evropiane.
Populli ynë ka vuajtur shumë. Andaj, nuk kemi më nevojë për mëri dhe urrejtje, as për sharje, fyerje e ofendime, por për bashkim, dashuri dhe mirëkuptim. Shqiptarët duhet ta përqafojnë njëri-tjetrin me fjalë që ndërtojnë ura, jo me fjalë që ngrejnë mure urrejtjeje ndërvëllazërore, ndërfamiljare dhe ndërshoqërore.
Të bëhemi shembull, ashtu siç kemi ditur të jemi në çdo kohë ku mbizotëron bashkimi, mirëkuptimi dhe dashuria ndërnjerëzore e familjare -sepse kështu do të jemi gjithmonë fitues si komb dhe vend drejt progresit njerëzor e shtetëror dhe pjesë rrugëtimit drejt familjes europiane.
Qofshi të gëzuar!
Uroj vetëdijesim dhe reflektim.

