1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e fëmijëve shënohet me fillimin e Skriningut Neonatal në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit
Sot, më 1 Qershor – Ditën ndërkombëtare të fëmijëve, në repartin e Neonatologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, kemi filluar një hap të ri dhe shumë të rëndësishëm për shëndetin publik: Skriningun Neonatal.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit Dr. Afrim Cana theksoj se sot ka filluar zyrtarisht zbatimi i skriningut neonatal, përkatësisht testimi i gjakut nga thembra e të porsalindurve për zbulimin e hershëm të disa sëmundjeve të rëndësishme. Ne jemi duke punuar vazhdimisht në plotësimin dhe avancimin e shërbimeve të reja shëndetësore, me qëllim të ofrimit të kujdesit sa më cilësor për qytetarët dhe forcimit të shëndetit publik.
Udhëheqësi i repartit të Neonatologjisë, Dr. Blerim Bajrami, theksoj se testi kryhet zakonisht 24–48 orë pas lindjes dhe konsiston në marrjen e disa pikave të gjakut nga thembra e foshnjës.
Në fazën fillestare, skriningu do të përfshijë zbulimin e këtyre sëmundjeve:
1. Fenilketonuria
2. Galaktozemia
3. Fibroza cistike
4. Hipotiroidizmi kongjenital
5. Atrofia muskulare spinale
Këto sëmundje janë përfshirë në programin e skriningut neonatal sepse:
• mund të zbulohen shumë herët përmes një testi të thjeshtë gjaku nga thembra e foshnjës;
• diagnostikimi i hershëm mundëson fillimin në kohë të trajtimit;
• trajtimi i hershëm ndihmon në parandalimin e dëmtimeve serioze neurologjike, metabolike dhe zhvillimore, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijës.
Fillimi i këtij programi paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të kujdesit shëndetësor për të porsalindurit dhe forcimit të masave parandaluese në sistemin shëndetësor publik.
Gëzuar 1 Qershorin – Ditën ndërkombëtare të fëmijëve!

