Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me ministren e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, për krijimin e Parkut Industrial në Gjilan.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik të qytetit tonë, krijimit të vendeve të reja të punës dhe mbështetjes së bizneseve e investitorëve. Gjilani po krijon kushtet për një të ardhme më të fortë zhvillimore”, tha Hyseni.
I pari i Gjilanit, theksoi se bashkë me institucionet qendrore do të vazhdojnë angazhimin për ta bërë Gjilanin një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe industrial në vend.
“Falënderojmë Qeverinë e Kosovës dhe ministren Kusari-Lila për bashkëpunimin e vazhdueshëm”, tha kryetari Alban Hyseni.
Ministrja në detyrë e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, tha se nuk kanë kaluar as tre javë nga shpallja e Parkut Industrial në Gjilan nga Qeveria e Kosovës dhe së bashku me kryetarin, Alban Hyseni, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t dhe Komunës së Gjilanit për projektimin e Parkut Industrial në këtë komunë.
“Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik lokal, krijimit të kushteve më të mira për investime, zgjerimit të aktiviteteve prodhuese dhe hapjes së vendeve të reja të punës”, tha Kusari.
Sipas saj përmes këtij bashkëpunimi do të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për krijimin dhe zhvillimin e parkut industrial, duke promovuar parimet e ekonomisë qarkore, përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, mbrojtjen e mjedisit dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët.
“Gjilani, ashtu si shumë komuna të tjera të Kosovës ku MINTI po zhvillon dhe mbështet parqet industriale, po forcon bazat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për një të ardhme më të mirë për bizneset dhe qytetarët e saj”, ministrja Kusari.

