FC Drita do të mësojë sot kundërshtarin e saj të parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Shorti, i cili do të hidhet në orën 12:30, do të përcaktojë ekipin me të cilin kampioni i Kosovës do të përballet në raundin e parë të garës më prestigjioze evropiane për klube.
Pas një sezoni të suksesshëm në Superligën e Kosovës, Drita nis një tjetër rrugëtim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, me synimin për të lënë gjurmë në kompeticionet evropiane dhe për të përfaqësuar denjësisht futbollin kosovar.
Vëmendja e tifozëve bardhekaltër është e përqendruar te shorti i sotëm, nga i cili do të mësohet pengesa e parë në rrugën drejt fazave të mëtejshme të Ligës së Kampionëve. Emri i kundërshtarit do të përcaktojë edhe sfidën që e pret skuadrën nga Gjilani në këtë aventurë të re evropiane.
Sot shënohet fillimi i një kapitulli të ri për FC Dritën, e cila synon të vazhdojë paraqitjet pozitive në skenën ndërkombëtare dhe të realizojë ëndrrën e saj për një ecuri sa më të gjatë në Evropë./Radio Star/


