Një kapitull i suksesshëm ka marrë fund. Futbollisti Veton Tusha ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga FC Drita, duke i dhënë fund bashkëpunimit dyvjeçar me kampionët e Kosovës. Përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale, ai ka falënderuar klubin, bashkëlojtarët, stafin dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar Dritën si “familjen e tij të dytë”.
Tusha largohet pas një periudhe të artë me skuadrën gjilanase, ku kontribuoi në fitimin e dy titujve kampionë radhazi, si dhe në arritjet historike të klubit në garat evropiane. Mesfushori u shpreh krenar për çdo moment të kaluar me fanellën bardhekaltër, ndërsa lamtumira e tij ka prekur edhe tifozët e Dritës.
Shkrimi i Veton Tushës:
Ka momente që mbesin përgjithmonë në zemër,
dhe këto dy vite me Dritën do të mbeten ndër kujtimet më të bukura të karrierës sime.
Dhimbje, emocione , sakrifica… dhe prap arritëm të shpallemi kampion për herë të dytë radhazi.
Pa harruar ti përmendi edhe sukseset historike në Europe!
Drita për mua nuk ka qenë vetëm një ekip futbolli , por një familje e dytë ku kam mësuar, jam rritur dhe kam përjetuar momente të paharrueshme. Çdo stërvitje, çdo ndeshje, çdo fitore dhe çdo sfidë do të mbeten gjatë në memorien time!
Faleminderit nga zemra për Familjen time, Presidentet , Trenerët ,Bashkëlojtarët , Doktorat dhe Ekonomat e familjes madhe Fc Drita që gjithmonë më kanë qëndruar pranë!
Dhe në fund por jo nga rëndësia , një falenderim i veqantë për zemrën e ekipit INTELEKTUALET për mbështetjen e pandalshme💙
Krenar për çdo sekond me këtë fanellë
Faleminderit Drita💙🤍

