Muhadin Haziri, Asamblisti më i votuar nga radhët e LDK-së në Gjilan
Zhurma dhe presioni i krijuar brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga disa individë dhe grupe të interesit po e deformon debatin e brendshëm politik dhe demokratik në parti.
Si mund të kërkohet dorëheqja e kryetarit të partisë nga individë që vetë kanë rezultuar humbës në proceset zgjedhore, përfshirë edhe disa ish-kryetarë komunash nga radhët e LDK-së, të cilët nuk kanë arritur të fitojnë mandate deputeti dhe kanë pasur rezultate të dobëta edhe në degët e tyre, pavarësisht se kanë pasur pozita dhe pushtet lokal?
Në këtë kontekst, shtrohet pyetja mbi çfarë logjike politike mbështetet kërkesa për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, kur fillimisht do të duhej të analizohej përgjegjësia në nivel të degëve dhe strukturave lokale të partisë.
Është e domosdoshme që, para çdo kërkese për përgjegjësi në nivel qendror, të bëhet vlerësimi i rezultateve në terren dhe funksionimit të degëve, pasi reforma e brendshme e partisë duhet të nisë nga baza dhe jo vetëm nga maja e saj.
Për më tepër, disa pretendime dhe opinione që qarkullojnë brenda strukturave të LDK-së, të cilat sugjerojnë ndërhyrje apo orientime nga faktorë të jashtëm politikë, nuk kontribuojnë në forcimin e partisë, por vetëm në krijimin e përçarjeve të panevojshme. LDK-ja duhet të udhëhiqet nga vendimmarrja e brendshme demokratike dhe jo nga ndikime të jashtme apo interesa individuale.
Partia nuk është pronë individuale apo grupore, por një organizatë politike që duhet të funksionojë mbi parimet e transparencës, demokracisë së brendshme dhe respektimit të vullnetit të anëtarësisë së saj. Për këtë arsye, çdo vendim madhor duhet të merret në mënyrë institucionale, përmes Kuvendit dhe mekanizmave të përcaktuar statutarë.
Në këtë kuadër, vlerësoj se LDK-ja duhet të vazhdojë rrugën e saj të konsolidimit dhe forcimit institucional, duke shmangur përplasjet e brendshme që dëmtojnë imazhin dhe funksionimin e saj politik.
Në fund, qëndrimi im mbetet se çdo proces i përgjegjësisë duhet të jetë i gjithanshëm dhe i drejtë, duke përfshirë të gjitha nivelet e organizimit të partisë.
Me respekt,
Muhadin Haziri
Anëtar i Kryesisë – Dega Gjilan

