Një pacient 52-vjeçar është paraqitur në Urgjencën Primare të QKMF-së në Viti me dhimbje në gjoks. Menjëherë i është bërë EKG-ja, përmes së cilës është evidentuar një infarkt masiv, ndërsa pa humbur kohë ka nisur terapia e nevojshme.
Pas vlerësimit të gjendjes, dr. Ardi Ademi, dr. Imer Ramadani dhe infermierja Almira Abazi, së bashku me shoferin Ademin, kanë marrë vendim që pacienti të transportohej urgjentisht në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Mirëpo, në momentin e mbërritjes në spital, pacienti ka pësuar arrest kardiak. Aty ka nisur beteja e vërtetë për shpëtimin e jetës së tij.
Mijëra artikuj, një klik larg – porosit tani!
Falë reagimit të menjëhershëm të dr. Begush Canaj dhe stafit të infermierëve, pacienti është rikthyer në jetë. Megjithatë, gjendja ka mbetur kritike, pasi fibrilacioni është përsëritur afërsisht çdo pesë minuta.
Me vendosmëri dhe pa u dorëzuar, ekipi mjekësor ka realizuar rreth 16 defibrilime, deri në stabilizimin e gjendjes dhe rikthimin e pacientit në ritëm sinusal. Më pas, pacienti është transferuar në QKUK, ku pas koronarografisë i është vendosur një stent për shkak të bllokimit të arteries së majtë të zemrës.
Falë punës së palodhshme dhe profesionale të stafit mjekësor, ai ka vazhduar trajtimin në Klinikën Intensive të Kardiologjisë, ndërsa gjendja e tij është raportuar stabile.
Ky rast dëshmon se përkushtimi, profesionalizmi dhe bashkëpunimi ndërmjet ekipeve mjekësore mund të bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes./PlusTV/


