Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Burhan Isufi, i është drejtuar me një kërkesë publike K.R.U. “Hidromorava”, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të tarifës për kanalizim që, sipas tij, u është faturuar padrejtësisht banorëve të disa fshatrave të Komunës së Gjilanit.
Në reagimin e tij publik, Isufi thekson se vendosja e kësaj tarife është e papranueshme dhe, sipas vlerësimit të tij, nuk mbështetet në bazë të ligjshme. Ai kërkon që tarifa të hiqet menjëherë nga faturat e qytetarëve, ndërsa çdo shumë e inkasuar deri më tani t’u kthehet banorëve ose të kompensohet në faturat e ardhshme.
“Heshtja përballë këtij veprimi do të nënkuptonte pranimin e një padrejtësie ndaj banorëve të këtyre fshatrave. Institucionet publike ekzistojnë për t’u shërbyer qytetarëve, jo për t’i rënduar ata me tarifa të diskutueshme”, ka deklaruar Isufi.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse që të shqyrtojnë urgjentisht ligjshmërinë e këtij vendimi dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e interesit publik.
Postimi i plotë i asamblistit Burhan Isufi:
“KËRKESË PUBLIKE DREJTUAR K.R.U. ‘HIDROMORAVA’
I kërkoj publikisht K.R.U. ‘Hidromorava’ që ta anulojë menjëherë tarifën për kanalizim dhe ta largojë atë nga faturat e qytetarëve të disa fshatrave të Komunës së Gjilanit, të cilëve u është vendosur kjo pagesë.
Vendosja e kësaj tarife është e papranueshme dhe, sipas vlerësimit tim, nuk mbështetet në bazë të ligjshme. Banorët e këtyre fshatrave nuk mund të shndërrohen në bankomat të institucioneve publike dhe të detyrohen të paguajnë tarifa të vendosura në mënyrë të padrejtë.
Po ashtu, kërkoj që çdo euro e inkasuar nga kjo tarifë t’u kthehet qytetarëve ose të kompensohet në faturat e ardhshme. Drejtësia nuk vendoset vetëm duke e hequr një tarifë të padrejtë, por edhe duke kthyer mjetet e marra prej saj.
Heshtja përballë këtij veprimi do të nënkuptonte pranimin e një padrejtësie ndaj banorëve të këtyre fshatrave.
Institucionet publike ekzistojnë për t’u shërbyer qytetarëve, jo për t’i rënduar ata me tarifa të diskutueshme.
I ftoj organet përgjegjëse që ta shqyrtojnë urgjentisht ligjshmërinë e këtij vendimi dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e interesit publik.
Banorët e këtyre fshatrave meritojnë ligjshmëri, transparencë dhe respekt, e jo fatura të padrejta.”

