Asamblisti i Lëvizjes Vatra në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e disa kubezave të betonit në sheshin e qytetit, duke paralajmëruar se ato paraqesin rrezik për kalimtarët.
Përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale, Kadriu ka bërë të ditur se pjesa pranë shatërvanit është dëmtuar dhe pllakat nuk janë më të qëndrueshme, gjë që mund të shkaktojë lëndime te qytetarët.
“Kujdes kur ecni në shesh! Pjesa pranë shatërvanit është e dëmtuar dhe pllakat nuk janë të qëndrueshme. Kam njoftuar organet kompetente dhe pres reagimin e tyre. Bëni kujdes, pasi mund të lëndoheni ose edhe të thyeni këmbën”, ka shkruar ai.
Kadriu u ka bërë thirrje institucioneve komunale që të ndërhyjnë sa më shpejt për sanimin e dëmtimit, në mënyrë që të shmangen aksidentet dhe të garantohet siguria e qytetarëve në një nga hapësirat më të frekuentuara të Gjilanit./Radio Star/

