SC Gjilani nuk po ndalet në afatin kalimtar të verës, duke vazhduar të përforcojë skuadrën me emra cilësorë për sezonin e ri.
Sipas raportimit ekskluziv të Gazetës Olle, klubi gjilanas ka arritur marrëveshje me Trepçën ’89 për transferimin e mesfushorit ofensiv Milazim Bajraktari.
22-vjeçari, i cili mund të aktivizohet edhe si sulmues krahu, ishte në radarët e disa klubeve nga Kosova dhe Shqipëria. Megjithatë, në fund ishte Gjilani që bindi futbollistin të veshë fanellën kuqe e bardhë.
Po sipas Olle, Trepça ’89 ka ruajtur një përqindje të kartonit të lojtarit në rast të një transferimi të ardhshëm.
Bajraktari konsiderohet si një prej futbollistëve më premtues në repartin ofensiv në futbollin kosovar dhe ardhja e tij pritet t’i japë më shumë kreativitet dhe forcë skuadrës së Gjilanit në edicionin e ri.
Nëse transferimi zyrtarizohet, kjo do të jetë një tjetër goditje e rëndësishme e klubit gjilanas në merkato, duke konfirmuar ambiciet e “Skifterave” për të synuar objektiva të mëdha në sezonin e ardhshëm.

