Brenda gjashtë muajve kanë vdekur 46 persona në aksidente në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës numri i personave të vdekur në komunikacion në vendin tonë ka arritur në 46, nga janari deri në qershor, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas Policisë, në këtë periudhë kanë ndodhur 10170 aksidente në komunikacion, prej të cilave 45 kanë rezultuar me fatalitet, ndërsa 7482 persona janë lënduar.
Policia thotë se numri i aksidenteve ka pësuar rënie.
“Siç shihet, numri i përgjithshëm i aksidenteve ka shënuar rënie për -4.77%, numri i gjobave është rritur për 5.82%. Policia, për të parandaluar aksidentet në trafik, në vazhdimësi analizon të dhënat rreth sigurisë në trafik, harton plane operative, bënë fushata dhe si masë parandaluese/ndëshkuese gjobitë shkelësit në trafik”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Gazetën Shneta.
Nga ky institucion kanë thënë se vazhdimisht iu bëhet apel qytetarëve që të respektojnë rregullat në komunikacion.
“Në vazhdimësi apelojmë tek pjesëmarrësit në trafik, në veçanti ndaj ngasësve të automjeteve, që: të respektojnë rregullat në trafik dhe të përqendrohen në ngasje të automjetit”, kanë deklaruar nga PK. /Gazeta Shneta/

