Komuna e Vitisë ka angazhuar 106 punëtorë përmes një kontrate publike kornizë në vlerë prej 708,328 euro, ndonëse pozitat e tyre, sipas Auditorit të Përgjithshëm, duhej të plotësoheshin përmes procedurave të rregullta të rekrutimit dhe jo me kontraktim të shërbimeve profesionale.
Sipas raportit, komuna gjatë vitit 2025 kishte lidhur një kontratë publike kornizë 24-mujore për “Shërbimet e mbështetjes profesionale me komponentën për ofrimin e shërbimeve publike dhe të mirëqenies së qytetarëve”, në vlerë prej 708,328 euro.
Auditori thekson se procedurat për kontraktimin e shërbimeve të veçanta duhet të përdoren vetëm për shërbime që nuk mund të kryhen nga stafi ekzistues ose të plotësohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Megjithatë, nga auditimi rezultoi se komuna kishte angazhuar 106 punëtorë përmes operatorit ekonomik, edhe pse natyra e punës së tyre përputhej me detyrat e stafit të rregullt komunal.
Përveç mënyrës së angazhimit të punëtorëve, auditori ka konstatuar edhe mangësi në menaxhimin e kontratës.
Raportet e pranimit të shërbimeve ishin të bazuara kryesisht në vijueshmërinë dhe kohën e kaluar në punë të punëtorëve, të përgatitura nga koordinatorja e operatorit ekonomik, ndërsa në dosjet e pagesave mungonin dëshmitë se menaxheri i kontratës kishte verifikuar sasinë dhe llojin e shërbimeve të ofruara, siç kërkohet me rregullat e prokurimit publik.
Auditimi ka zbuluar gjithashtu se komuna ka tejkaluar sasitë indikative të kontratës për 34,540 shërbime, duke realizuar pagesa në vlerë prej 88,397 euro mbi kufijtë e paraparë./Gazeta Insajderi/

