Sot pata kënaqësinë të mirëpres në takim anëtarët e akademisë së futbollit nga Gjermania, “Train2Win”, Harald Cerny dhe Patrick Zimmerer, të shoqëruar nga bashkatdhetari ynë Ndriqim Halili, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të vëzhguar talentet tona dhe zhvillimin e tyre. Kjo akademi ka një bashkëpunim të mirë, sidomos me shkollën e futbollit FC Ramiz Sadiku.
Federata e Futbollit e Kosovës përkrah gjithmonë iniciativa të tilla për zhvillimin e futbollit dhe bashkëpunimin me vendet e me akademitë e tjera nëpër Evropë, kudo që ndodhen ato, e sidomos aty ku veprojnë edhe bashkatdhetarët tanë, si në këtë rast.
Më gëzon fakti që akademi dhe klube prestigjioze po vijnë vazhdimisht në Kosovë për të identifikuar dhe zhvilluar talentët tanë të rinj. Bashkëpunime të tilla krijojnë mundësi të reja për futbollistët e rinj, u japin atyre hapësirë për të treguar cilësitë e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme në futbollin evropian.
Mysafirëve nga Gjermania u dëshirova mirëseardhje në Kosovë dhe shumë suksese gjatë punës së tyre, me bindjen se gjatë aktivitetit të tyre këtu do të zbulohen shumë talente, të cilat të ardhmen e tyre do ta ndërtojnë përmes bashkëpunimeve të tilla në akademi evropiane dhe do ta përfaqësojnë me krenari futbollin e Kosovës në klubet evropiane.

