Pas kontrolleve zyrtare dhe rezultateve laboratorike të LUVK-së, AUV ka ndërmarrë masa konkrete ndaj Qumështores VITA.
Në tërësi, 12 produkte të paraqitura dhe tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore janë konstatuar jokonforme, për shkak të pranisë së vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar. Për këto produkte është urdhëruar tërheqja nga tregu.
Gjetja më serioze lidhet me qumështin. Katër mostra të katër produkteve të shitura, prezantuara dhe deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme: dy me prani të vajit të palmës dhe dy me prani të qumështit pluhur, të padeklaruara për konsumatorin. Këto produkte kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit.
Nga produktet e qumështit të analizuara, vetëm një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur. Ky produkt nuk është cilësuar jokonform. Megjithatë, për shkak se prodhohet në të njëjtin objekt dhe në linjën e prodhimit të qumështit ku janë konstatuar mospërputhjet, është vendosur nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm.
Veçmas, kontrolli ka konstatuar 26 produkte me përmbajtje bimore të prodhuara jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit. Për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit deri në marrjen e aprovimit përkatës nga AUV. Raporti evidenton aktivitet me bazë yndyre bimore dhe proteine qumështi, për të cilin gjatë kontrollit nuk ishte paraqitur autorizimi i posaçëm.
Masat e ndërmarra përfshijnë tërheqjen e 12 produkteve jokonforme nga tregu, mbikëqyrjen e shtuar dhe ritestimin e vazhdueshëm të linjës së qumështit, ndalimin e prodhimit të 26 produkteve jashtë aprovimit, ndalimin e paraqitjes mashtruese të produkteve dhe ndalimin e lëshimit të certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve.

