Sanije Gagica-Elezi lindi më 10 gusht 1961 në fshatin Poliçkë, komuna e Kamenicës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në Gjilan. Më pas përfundoi Akademinë Pedagogjike, në drejtimin për edukatore, si dhe studimet universitare në të njëjtën fushë.
Në vitin 1979 u martua me Muharrem Elezin, me të cilin krijuan familjen e tyre dhe u bënë prindër të katër fëmijëve: Erlindës, Donjetës, Egzonit dhe Ertonit.
Nga viti 1990 u angazhua në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa më 7 korrik 1992 u zgjodh kryetare e Forumit të Gruas në Livoçin e Ulët.
Gjatë vitit shkollor 1994/1995 filloi punën në shkollën e fshatit, si mësimdhënëse e matematikës dhe e edukatës muzikore. Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, u zgjodh këshilltare komunale në Kuvendin Komunal të Gjilanit, detyrë të cilën e ushtroi për tri mandate radhazi.
Në vitin 2003 u emërua drejtoreshë e IP “Integj” në Gjilan, institucion të cilin e drejtoi për dy mandate. Pas përfundimit të mandateve drejtuese, iu rikthye profesionit të saj si edukatore, duke vazhduar punën me fëmijët deri në përfundimin e karrierës së saj profesionale.
Pas dekadash pune dhe angazhimi, Sanije Gagica-Elezi mbyll sot një kapitull të rëndësishëm të jetës së saj, duke lënë pas një rrugëtim të gjatë në edukimin e brezave dhe në shërbim të komunitetit.
Urime pensionimi Sanije Gagica-Elezit, me dëshirat më të mira për shëndet, lumturi dhe mbarësi në kapitullin e ri të jetës!

