BE-ja po e do Kurtin, e amerikanët disi më të ftohtë. Sapo thua hiç nuk po e duan, edhe aty plasë një kthim flirti, takimi, me Të Ngarkuarën për Punë, se jo me zyrtarët e lartë të shtetit amerikan. Madje, doktrina e Rubios për rendin global me shtete të mëdha në dëm të idesë për pavarësi të sa ma shumë shteteve të vogla, mbetet lajm i tmerrshëm veçmas për shtetet e stigmatizuara e të kontestuara, pa folur për ato me aspirata për pavarësi, por kjo është çështje tjetër makropolitike, që nuk lidhet fare me Kurtin, por me super të mëdhenjtë që drejtojnë botën.
BE-ja i pat hequr masat shtrënguese kundër Kosovës dhe ishte interpretuar se në kohë zgjedhjesh, ishte përkrahje për Albin Kurtin. Tash lajmi për Urën e Ibrit, në kohë ngërçesh, gjithashtu po llogaritet mbështetje e BE-së për Kurtin. Dyja qëndrimet e BE-së, janë shumë të mirëseardhura.
Për vete, i kam veç këto dyshime, në rezultatin përfundimtar. Lajmet e para pak ditëve për negociatat e zyrtarit evropian mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit, paralajmërojnë se marrëveshja e keqe, nuk hiqet dot, çkado simbolike dhe shumë e mirë që bëhet.
Shkurt e shqip, a mund t’i ikim Asociacionit Plus të Ohrit, me protagonist Kurtin?
Për momentin, besoj se jo.
Se ndryshon bota, e s’ndryshon kjo, edhe këtë nuk e them me siguri të plotë. Jam agnostik global për shumëçka.
Sidoqoftë, lajm i mirë për Urën e Ibrit dhe Kurtin. Tash të shohim çka po zihet në fund të procesit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, vetëmenaxhimin dhe të tjera.
Opinion nga Avni Rudaku

