Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të premtën ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 100 zyrtarëve të rinj të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët përmbyllën me sukses trajnimin profesional 23-javor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Duke iu drejtuar zyrtarëve të rinj, Ministrja Gërvalla tha se përfundimi i trajnimit shënon fillimin e një detyre me përgjegjësi të veçantë, në një fushë ku shteti ka përgjegjësi të madhe për garantimin e sigurisë, zbatimin e ligjit dhe respektimin e dinjitetit njerëzor.
Ajo theksoi se puna e një zyrtari korrektues kërkon jo vetëm disiplinë dhe vendosmëri, por edhe maturi, vetëpërmbajtje dhe gjykim të drejtë.
“Do të përballeni me situata të vështira. Do t’ju duhet të merrni vendime nën presion dhe të ushtroni autoritet në rrethana në të cilat kufiri ndërmjet vendosmërisë dhe teprimit duhet të jetë gjithmonë i qartë”, u shpreh ministrja Gërvalla.
Duke folur për rolin e Shërbimit Korrektues të Kosovës në sistemin e drejtësisë, Ministrja Gërvalla tha se drejtësia nuk përfundon me shqiptimin e një vendimi gjyqësor, por dëshmohet edhe në mënyrën se si ai vendim zbatohet.
“Shteti ligjor duhet të jetë i drejtë kudo: në gjykatë, në administratë, por edhe pas dyerve të mbyllura të një institucioni korrektues”, tha ajo, duke shtuar se personi që vuan një dënim e ka humbur lirinë për një kohë të caktuar, por nuk e ka humbur dinjitetin dhe të drejtat që ia garanton ligji.
Ministrja Gërvalla theksoi se detyra e zyrtarëve korrektues nuk është vetëm ruajtja e rendit dhe sigurisë, por edhe krijimi i kushteve që siguria, ligjshmëria dhe trajtimi njerëzor të bashkëjetojnë në institucionet korrektuese.
Ajo vlerësoi rëndësinë e rehabilitimit dhe rikthimit në shoqëri të personave që kanë përfunduar dënimin, duke theksuar se edhe në këtë proces zyrtarët korrektues kanë rol të pazëvendësueshëm.
“Pjesa më e madhe e kësaj pune do të zhvillohet larg syrit të publikut. Mirëpo puna që nuk shihet nuk është më pak e rëndësishme. Përkundrazi, integriteti dëshmohet më së shumti atëherë kur askush nuk po ju vëzhgon dhe kur vendimin e drejtë duhet ta merrni sepse e dini se është i drejtë”, tha Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla vlerësoi hapat e bërë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e standardeve profesionale, duke theksuar se 100 zyrtarët e rinj tashmë bëhen pjesë e këtij institucioni dhe kanë përgjegjësinë për ta çuar atë përpara.
“Uniforma që do të vishni është shenjë e autoritetit që ju është besuar nga shteti. Mbajeni me krenari, por mos harroni asnjëherë se autoriteti publik ekziston për t’i shërbyer ligjit, jo atij që e ushtron”, theksoi ajo.
Në fund, Ministrja Gërvalla falënderoi familjarët për mbështetjen e tyre dhe përgëzoi 100 zyrtarët e rinj për përfundimin me sukses të trajnimit.
“Jini të vendosur kur detyra kërkon vendosmëri. Jini të matur kur autoriteti kërkon maturi. Dhe jini gjithmonë të drejtë”, përfundoi Ministrja Gërvalla.

