Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi znj. Krenare Sogojeva Dërmaku zhvilloi sot takim me Komisionerin për Mbikëqyrjen e Procesit të Përgjimeve të Komunikimeve Elektronike, Afrim Shala, njëherësh gjyqtar i Gjykatës Supreme të Kosovës.
Në takim u diskutua për çështje që lidhen me përgjimin e komunikimeve nga institucionet e autorizuara me ligj, me fokus të veçantë në ligjshmërinë e këtij procesi, mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale, si dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Pjesë e diskutimit ishte edhe rëndësia e mbikëqyrjes së këtij procesi dhe nevoja që përgjimi, si një masë që ndërhyn drejtpërdrejt në privatësinë e individit, të zbatohet vetëm në rastet dhe sipas procedurave të përcaktuara me ligj, duke respektuar parimin e proporcionalitetit.
Gjithashtu, u diskutua për rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve në këtë fushë, duke pasur gjithmonë parasysh natyrën konfidenciale të procesit të përgjimeve.
Të dy palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave, me qëllim që mekanizmat e mbikëqyrjes të funksionojnë në mënyrë sa më efektive dhe që përdorimi i masave të përgjimit të jetë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respektimin e të drejtës për privatësi.
AIP do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse, në kuadër të kompetencave të saj, për të kontribuar në forcimin e standardeve të mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë së qytetarëve, thuhet në fund të njoftimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi










