Pas raportimeve se prindërve në Shkollën “Musa Zajmi” në Gjilan u janë kërkuar mjete financiare për vendosjen e klimave nëpër klasa, ka reaguar drejtori i këtij institucioni, Ramadan Dermaku.
Dermaku ka demantuar pretendimet se shkolla u ka kërkuar prindërve para për blerjen apo vendosjen e klimave, duke sqaruar se iniciativa ka ardhur nga vetë prindërit.
Sipas tij, disa prindër, për shkak të shqetësimit për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre, kanë shprehur vullnetin që të kontribuojnë për pajisjen e disa klasave me klima.
“Prindërit janë organizuar vetë. Askush nuk u ka kërkuar dhe nuk u kërkon mjete financiare. Përmes Këshillit të Shkollës, prindërit kanë të drejtë të organizohen dhe të japin donacione, nëse këtë e bëjnë me vullnetin e tyre”, ka deklaruar Dermaku.
Drejtori i “Musa Zajmit” ka bërë thirrje që çdo prind, i cili pretendon se është detyruar apo i janë kërkuar mjete financiare, ta denoncojë rastin konkret, duke kërkuar që pretendimet të mos drejtohen ndaj gjithë institucionit.
“Prindërit që thonë se po u kërkohen mjete, le t’i denoncojnë ata që kërkojnë, por jo ta njollosin shkollën. Shkolla ‘Musa Zajmi’ është shembulli më i mirë i një institucioni shkollor në Anamoravë dhe më gjerë”, ka thënë Dermaku.
Drejtori ka theksuar se shkolla nuk ka bërë kërkesë zyrtare për mbledhje të mjeteve nga prindërit dhe se çdo kontribut i mundshëm duhet të jetë në baza vullnetare.
Çështja pritet të marrë edhe sqarime të mëtejshme nëse nga prindërit do të paraqiten ankesa konkrete lidhur me ndonjë kërkesë apo presion për kontribute financiare./Radio Star/









