Drejtoresha Eljesa Rashiti ka zhvilluar një takim me noterët e Komunës së Gjilanit, ku është diskutuar për çështje që ndërlidhen me punën e përditshme dhe ofrimin e shërbimeve kadastrale për qytetarët.
Në takim, ku ishte e pranishme edhe udhëheqësja e sektorit të kadastrit, Valbona Bajrami, vëmendje e veçantë i është kushtuar funksionimit të sistemit online, sfidave të hasura gjatë përdorimit të tij në praktikë, si dhe mundësive për përmirësimin e mëtejmë të komunikimit dhe proceseve të punës.
Rashiti ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm me noterët, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Ajo ka falënderuar noterët për pjesëmarrjen, angazhimin dhe kontributin e tyre në punën e përditshme, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve të fushës është i rëndësishëm për funksionimin sa më efikas të shërbimeve kadastrale.










