Hykmete Bajrami ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se pas gati gjashtë vitesh në pushtet, qytetarët nuk e gjykojnë më kryeministrin për premtimet, por për rezultatet.
Në një postimi në Facebook, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka renditur një varg premtimesh për të cilat pretendon se Qeveria Kurti nuk i ka realizuar.
“Pyetja nuk është më: Çka po premton Albin Kurti? Pyetja është: Pse nuk i bëri këto që i premtoi që gjashtë vjet?”, ka shkruar ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, Kurti po paraqitet sërish para qytetarëve me premtime të ngjashme me ato të fillimit të mandatit, ndonëse, siç ka thënë ajo, ka pasur shumicën parlamentare, kontrollin e Qeverisë dhe buxhete të mëdha në dispozicion.
“Pas gjashtë vjetësh në pushtet, qytetarët nuk të gjykojnë më për premtimet, të gjykojnë për rezultatet”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka paraqitur kritika në disa fusha të qeverisjes, përfshirë ekonominë, punësimin, arsimin, shëndetësinë, investimet kapitale, energjinë, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve dhe politikën e jashtme.










