Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale, duke shprehur mbështetjen e tij për ish-presidentin Hashim Thaçi.
Sadiku ka thënë se nëse do të mblidheshin të gjithë deputetët shqiptarë, ai do ta votonte Thaçin për President të Kosovës,
Ai ka theksuar se një veprim i tillë do të përçonte një mesazh edhe ndaj Gjykatës Speciale dhe Serbisë.
“Sonte isha mbledhë me krejt deputetët shqiptarë dhe e kishim votu Hashim Thaçin për President të Republikës. 100 vota. Me ia tregu edhe Gjykatës Speciale, edhe Serbisë, në emër të kujt po marrin vendime”, ka shkruar Sadiku.
Edhe zyrtari i Aleancës, Daut Haradinaj ka deklaruar se sonte do të duhej të kishte seancë të jashtëzakonshme.
“Sonte do të duhej të kishte seancë të jashtëzakonshme dhe thirrje për deputetët që të shkojnë në Kuvend. E di që Albini nuk është në Kosovë, por ju të tjerët, ku jeni?”, ka shkruar Haradinaj.
Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.










