Në Gjilan u mbajt Forumi Ekonomik Anamorava 2026, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, me mbështetjen e Caritas Switzerland dhe Qeverisë së Principatës së Lihtenshtajnit, si dhe me sponsorizimin e Vali Ranch Resort dhe PriBank.
Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, bizneseve, akademisë, investitorë dhe përfaqësues të diasporës, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit ndërmjet akterëve ekonomikë dhe identifikimit të mundësive konkrete për investime dhe zhvillim ekonomik në rajonin e Anamoravës.
Në këtë forum mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të një platforme të tillë për bashkimin e institucioneve qendrore dhe lokale, sektorit privat, investitorëve dhe diasporës, me synim krijimin e mundësive të reja për zhvillimin ekonomik të rajonit.
Kryetari Rahimaj theksoi potencialin që kanë komunat për të krijuar kushte të favorshme për investime, përmes shfrytëzimit të tokave dhe pronave komunale, objekteve publike, planeve zhvillimore, infrastrukturës dhe potencialeve natyrore. Këto mundësi, sipas tij, mund të shërbejnë si bazë për tërheqjen e investitorëve dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë lokale.
Pjesë e panelit diskutues ishte edhe drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës në Komunën e Kamenicës, Edon Dermaku, i cili prezantoi potencialet dhe mundësitë që ofron Kamenica për investime dhe zhvillim ekonomik.
Gjatë prezantimit, Dermaku u fokusua në mundësitë për zhvillimin e turizmit malor dhe industrisë ushqimore, programet komunale për mbështetjen e bizneseve ekzistuese dhe bizneseve të reja përmes granteve, si dhe rëndësinë e arsimit dhe mësimit dual në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
Një ndër temat e rëndësishme të prezantimit ishte edhe planifikimi i Zonës Ekonomike në fshatin Bllatë, e cila paraqet një mundësi për krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e bizneseve, tërheqjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar në promovimin e potencialeve lokale dhe në krijimin e kushteve për investime të reja, në bashkëpunim me institucionet qendrore, sektorin privat, diasporën dhe partnerët zhvillimorë, me synim nxitjen e punësimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të komunës.










